Grupi proaktiv në Gjilan takohet me anëtarët e HandiKOS-it

 Koordinatori i Gjilanit, Vullkan Qerimi, bashkë me anëtarët e grupit proaktiv kanë vizituar qendrën e HandiKOS-it në Gjilan, me ç’rast janë takuar me stafin e saj dhe disa nga anëtarët e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. Pjesë e takimit ishin edhe Fatmir Shurdhani (kryetari i HandiKOS-it në Gjilan) dhe Avdil Ibishi (bashkëpunëtor i jashtëm i HandiKOS-it dhe njëkohësisht person me aftësi të kufizuara fizike). Vullnetarët e grupit proaktiv Shpend Fejzullahu, Arlinda Qerimi, Blerina Halimi dhe Erjona Huruglica, kanë asistuar në evidentimin e problemeve që komuniteti i p.a.k. has gjatë jetës së përditshme. Ndër to ata kanë paraqitur pengesat në qarkullimin e lirë nëpër rrugë e trotuare, gjatë qasjes në ndërtesat publike, siç janë: KEK-u, posta, objektet e kultit, si dhe gjatë qasjes në lokalet, dyqanet e kafenetë e qytetit, por edhe në vetë ndërtesën e HandiKOS-it. Sipas z. Ibishi, në Gjilan janë gjithsej 300 persona me aftësi të kufizuara fizike dhe 1200 sosh me nevoja të veçanta të tjera.
 
Projekti “E drejta qytetare në hapësirë publike dhe banim social” implementohet nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (KAF) dhe është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Grupi proaktiv në Gjilan takohet me anëtarët e HandiKOS-it