Evidentimi i pengesave për qasjen e p.a.k. në blloqet e banimit social në Gjilan

 Gjatë takimit me komunitetin e personave me aftësi të kufizuara në qyteti e Gjilanit, grupi proaktiv i projektit “E drejta qytetare në hapësirë publike dhe banim social” ka evidentuar edhe problemet, të cilat personat me aftësi të kufizuara fizike që jetojnë në banesa sociale hasin gjatë qasjes në to. Sipas Avdil Ibishit, janë rreth 5 persona në karrocë që jetojnë në këto ndërtesa. Ata nuk mund të qarkullojnë lirshëm përreth ndërtesave për shkak të rrugës së pashtruar dhe shtigjeve për këmbësorë, nuk kanë qasje të duhur në to si rezultat i pjerrinave të papërshtatshme, nuk kanë parkingje të veçanta, nuk kanë ashensorë në ndërtesa, si dhe kanë mungesë të hapësirave rekreative. Duke marrë parasysh se shumë nga përfituesit e banesave sociale janë persona me aftësi të kufizuara fizike apo edhe invalidë të luftës së fundit në Kosovë, krijimi i kushteve të përshtatshme për qasje në këto ndërtesa është qenësor. 
 
Projekti “E drejta qytetare në hapësirë publike dhe banim social” implementohet nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (KAF) dhe është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Evidentimi i pengesave për qasjen e p.a.k. në blloqet e banimit social në Gjilan