Takimet me grupin ‘the Changemakers’ të komunitetit ashkali në Fushë Kosovë

Fondacioni Kosovar i Arkitekturës mbajti takimin e dytë me përfaqësuesit e komunitetit ashkali, aktivistë të grupit ‘the Changemakers’ nga organizata joqeveritare ‘The Ideas Partnership’ në Fushë Kosovë. Përderisa takimi i parë (më 8 shkurt 2016) kishte qenë informativ rreth veprimtarisë së KAF-it, projektit “E drejta qyetatre në hapësirë publike dhe banim social”, si dhe bashkëpunimit me Komunën e Fushë Kosovës, takimi i dytë (më 22 mars 2016) u përqëndrua në mundësitë e bashkëpunimit dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta mes KAF dhe TIP, me qëllim të përmirësimit të jetës publike të komunitetit. Ndër aktivitetet e diskutuara ishin përfshirja e tyre në grupin proaktiv të projektit për Fushë Kosovë, analizimi i rrugëve dhe hapësirave publike të Lagjeve 28 dhe 29, si dhe organizimi i disa punëtorive të përbashkëta gjatë Javës së Arkitekturës në Prishtinë. Gjithashtu u diskutuan edhe probleme të tjera të komunitetit në këto dy lagje, për të cilat KAF-i u zotua të kontribuojë në baza vullnetare.
 
Pjesëmarrës në këtë takim ishin Hysni Hasani (koordinator i projektit në TIP/the Changemakers), Jashar Gashi (menaxher i qendrës së TIP/the Changemakers), Rabije Qyqalla (asistente në TIP/the Changemakers), Bekim Ramku (arkitekt/menaxher i projektit në KAF), Fjollë Caka (arkitekte/koordinatore e projektit në KAF), si dhe Lindrit Zogaj, Arlinda Gashi dhe Valdron Veseli të cilët janë studentë të arkitekturës dhe njëkohësisht vullnetarë në Zyrën për Rigjenerim Urban (OUR) dhe anëtarë të grupit proaktiv për Fushë Kosovë. Të njëjtit ishin pjesëmarrës edhe në takimin e parë, vecse në të ishin prezent edhe Arjeta Islami (TIP/the Changemakers), si dhe Vlorjan Paqarizi e Vjosa Cakolli gjithashtu studentë të arkitekturës dhe pjesë e OUR – Fushë Kosovë. 
 
Projekti “E drejta qytetare në hapësirë publike dhe banim social” implementohet nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (KAF) dhe është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Takimet me grupin ‘the Changemakers’ të komunitetit ashkali në Fushë Kosovë