Komuna e Gjakovës i përgjigjet raportimeve të qytetarëve për lirimin e hapësirave publike

Qytetarët e Gjakovës kanë raportuar për qarkullim dhe parkim të pa autorizuar të automjeteve në rrugën “Sylejman Hadum Aga” në Çarshinë e Madhe në Gjakovë, përmes aplikacionit "Raporto – Banimi dhe Hapësira Publike". Pas përcjelljes së raportit nga ekipi i KAF-it tek Komuna e Gjakovës, Drejtoria për Shërbime Publike (DSHP) është përgjegjur se ajo veçse ka vendosur shenjat e ndalim qarkullimit dhe shenjën e obligimit të kthimit djathtas në hyrje të Çarshisë, por qytetarët nuk i kanë respektuar ato. Rrjedhimisht, ajo ka raportuar rastet në Policinë e Kosovës, e më pas ka inicuar procedurat e tenderimit për vendosjen e shtyllave lëvizëse elektrike në hyrjet e Çarshisë. Deri në vendosjen e këtyre shtyllave, DSHP ka vendosur disa pengesa fizike të përkohshme në dy pikat hyrëse, përkatësisht në sheshin ‘’Vëllezërit Kryeziu’’ (Loma e Drithit) dhe pranë Qendrës Inovative ‘’Jakova’’, si masë preventive për hyrjen e automjeteve të pa autorizuara në këtë zonë. Pengesat fizike të vendosura mund të lëvizen manualisht nga drejtuesit e automjeteve që janë të pajisur me leje për furnizim dhe mirëmbajtje të Çarshisë, e më pas duhet të kthehen në pozitën e tyre paraprake, gjegjësisht të mbyllet hyrja!

Aplikacioni për telefona të mençur “Raporto – Banimi dhe Hapësira Publike” është lansuar në kuadër të projektit “E drejta qytetare në hapësirë publike dhe banim social”, i cili implementohet nga Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (KAF) dhe është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

 Komuna e Gjakovës i përgjigjet raportimeve të qytetarëve për lirimin e hapësirave publike