Intervistë me z. Ferid Agani, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

1.     Cila është veprimtaria e MMPH në fushën e banimit social dhe hapësirave publike?

Banimi është çështje vendimtare për stabilitet social, shëndet dhe zhvillim kualitativ të mirëqenies njerëzore dhe ndikon në rrjedhën e zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë. Si i tillë është komponent i rëndësishëm në zhvillimin social-ekonomik, gjegjësisht të standardit jetësor.

MMPH, zhvillon politikat e banimit, hartimin e strategjive, programeve dhe projekteve, si dhe realizimin e aktiviteteve të tjera që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në krijimin e kushteve dhe mekanizmave për mundësimin e banimit të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët, në ruajtjen e rritjen e vlerës së fondit banesor, si dhe në përdorimin dhe aplikimin e rregullave moderne teknike të ndërtimit.

2.     Çfarë politika sociale janë zhvilluar nga MMPH rreth çështjes së banimit social në vend?

Bazuar në Ligjin Nr. 03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit, sigurimi i banimit është përgjegjësi e komunave. Komunat identifikojnë nevojat për banim për popullsinë nën juridiksionin territorial të tyre, hartojnë programet tri vjeçare për banim bazuar në burimet financiare dhe sigurojnë tokën për ndërtim bashkë me infrastrukturën e nevojshme. Ato paraqesin kërkesat për financimin e investimeve të reja dhe subvencioneve në MMPH.

Përkrahja e banimit bëhet përmes banesave të ndërtuara nga Komuna, Qeveria dhe donatorët të cilat lëshohen në shfrytëzim me qira, përmes banesave ekzistuese në pronësi të personave fizikë apo juridikë, të cilat mund të lëshohen me qira për familjet që posedojnë bonus të banimit, si dhe përmes banesave të tjera në pronësi të komunës, që mund të adaptohen për banim.

Me ketë ligj përfshihen familjet:

·      që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi individuale,

·      kanë mbetur pa banesë-shtëpi si rezultat i dëmtimit të shtëpive gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe

·      posedojnë sipërfaqe banimi nën normat e banimit, të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike.

Nga Ligji Nr. 03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit janë të hartuara dhe të aprovuara 6 Udhëzime Administrative për plotësimin e tërësishëm të tij.

3.     Çfarë programe janë ndërmarrë nga MMPH për trajtimin e kësaj problematike? Nga kush janë hartuar këto programe dhe mbi premisa të cilave konventave ndërkombëtare?

Obligim i Qeverisë është mirëqenia e qytetarëve të vet. Kjo rregullohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Neni 22 i cili thotë: Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:

1.   Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;

2.   Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut  dhe Protokollet e saja;

3.   Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;

4.   Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;

5.   Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;

6.   Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;

7.   Konventa për të Drejtat e Fëmijës;

8.   Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.

9.   Deklarata Ekonomike Sociale

 

Republika e Kosovës ka marrë për obligim miratimin e kornizës ligjore në harmoni të plotë me  konventat e BE-së, i cili është parakusht esencial për përafrimin me BE-në.

Në ministri janë realizuar këto projekte:

1.     Ndërtimi i nënte (9) objekteve të Banimit social

2.     Projekti për mbylljen e Qendrave të Përkohshme Kolektive - Plemetina

3.     Projekti për Rindërtimin e shtëpive në Shtërpcë

4.     Projekti për rindërtimin e shtëpive për personat e riatdhesuar

4.     Cilat janë bashkëpunimet e Ministrisë me Komunat, OJQ-të dhe komunitetet tjera për zbatimin e këtyre programeve?

MMPH ka mbajtur disa punëtori me nivelin lokal për të përkrahur Komunat në Hartimin e programeve trevjeçare të banimit që është obligim ligjor. Deri më tani 20 komuna kanë hartuar draft/programet trevjeçare të banimit, ku nëntë prej tyre e kanë të aprovuar edhe në Kuvendin Komunal. Sfidë e realizimit të këtyre programeve është edhe financimi.

Komunat në Kosovë hasin me një problematikë shumë të rëndësishme sepse nuk kanë sektor të banimit dhe kështu implementimi i Ligjit është shumë i vështirë. Në shumë Komuna nuk ka përgjegjës të emëruar për fushën e banimit dhe për shkak të kësaj shpesh zbatimi i ligjit nuk është i kënaqshëm në mungesë të sektorit të banimit.

Numri i OJQ-ve të cilat merren me fushën e banimit në Kosovë është shumë i vogël  megjithatë bashkëpunimi me to është shumë i mirë, ndërsa sa i përket komuniteteve të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë.

5.     Kush monitoron menaxhimin dhe mbarëvajtjen e këtyre projekteve? Çfarë masa merren në rast të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të banesave sociale?

Përgjegjësia e monitorimit, menaxhimit dhe mbarëvajtjes për këto projekte është tek Organi Kompetent i Komunës. Kundër vendimit të Organit Kompetent pala e pakënaqur mund të shtrojë ankesë në zyrën për ankesa të Ministrisë.

6.     Nga kush financohen Programet për Banim Social? Si koordinohen këto investime me investitorët tjerë për ndërtimin e banesave sociale?

Ndarja e buxhetit dhe zbatimi i projekteve të banimit social janë të shpërndara edhe në institucionet tjera të nivelit qendor, prandaj duhet të rishikohet mundësia që këto projekte të realizohen në Ministri për të gjithë në mënyrë të barabartë dhe për të gjitha kategoritë që kanë  nevojë për zgjidhjen e çështjes së banimit.

7.     Cili është buxheti i deritanishëm i shpenzuar nga MMPH për financimin e programeve për banim social? Sa janë planifikuar për të ardhmen e afërt?

Përmes fondit të riintegrimit të personave të riatdhesuar, ne tri vitet e fundit janë rindërtuar  dhe rinovuar shtëpi e tyre në rastet kur kanë pasur pronën e tyre, me një buxhet të përgjithshëm prej 500.000 Euro.

8.     A bashkëpunon apo konsultohet MMPH me institucione të ngjashme në rajon dhe më gjerë për të shkëmbyer njohuritë dhe përvojat rreth kësaj problematike?

Në Ministri kemi bashkëpunime të vazhdueshme me institucionet e ngjashme në rajon dhe më gjerë, ku përmes shkëmbimit të përvojave janë hartuar dhe harmonizuar edhe politikat tona.

9.     Cilat janë sfidat e tanishme të MMPH në planifikimin hapësinor dhe urban?

Sifdë e tanishme për MMPH-në është fillimi i hartimit të Hartave Zonale Komunale dhe Hartës Zonale të Kosovës, menjëherë pas hyrjes në fuqi të Udhëzimeve Administrative përkatëse, si vazhdimësi e reformave në ndërtim dhe njëkosësisht praktikës së re të trajtimit të planifikimit hapësinor dhe urban në rajon. Ndërkohë, MMPH-ja po e udhëheqë mjaft mirë procesin e legalizimit, ku për herë të parë në nivel vendi themelohet një Regjistër Shtetëror i Ndërtimeve Pa Leje dhe në bashkëpunim me komunat ka filluar trajtimi i tyre, proces ky në funksion të sigurisë së jetës së qytetarëve dhe organizimit më të mirë të hapësirës ku ne jetojmë.

10. Rishtazi MMPH është zotuar për qasje gjithëpërfshirëse në proceset e planifikimit hapësinor. Në çfarë forme planifikohet përfshirja qytetare në fushën e hapësirave publike dhe banimit social?

Planifikimi hapësinor është lëmi multisektoriale dhe përfshirja e qytetarëve në identifikimin e nevojave dhe ofrimin e zgjidhjeve për hapësirat ku ata jetojnë, si dhe në proceset të cilat kanë ndikim drejtpërsëdrejti në mirëqenien e tyre është e domosdoshme. Me këtë sigurohet qëndrueshmëria e këtyre zgjidhjeve apo planeve pasi që kërkesat dhe nevojat e komunitetit janë marrë parasysh, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të cilat MMPH-ja ka synim që t’i zbatojë. Ndërsa sa i përket banimit social me amandamentimin e ligjit Nr. 03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit, banimi social do të trajtohet më denjësisht dhe do të eliminohen hapësirat e izoluara të një shtrese të caktuar të popullatës sonë por do të jenë pjesë e shoqërisë pa dallim. 

Intervistë me z. Ferid Agani, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor