“Nuk është problem karroca ime, por planifikimi yt jo i mirë” Rinor Gashi - HandiKOS

Sot shumë shpesh mendohet se projektimi i lëvizjes së lirë për personat me aftësi të kufizuar është një nder që po ua bënë atyre, ose edhe më keq, mendojnë që kjo është barrë që duhet ta mbajnë për shkak tyre. Shumë shpesh ata harrojnë që lëvizja e lirë garantohet me një sërë dokumentash ndërkombëtare dhe vendore por edhe sikur të mos ekzistonin ato, do duhej të na obligonte ndërgjegjja e shëndoshë që mos të bëjmë barriera për një pjesë të shoqërisë, që do mund të i jepte vendit po aq sa këta të tjerët që nuk hasin në barriera artitektonike.

Në mëngjes po sa i hapi sytë, kur filloj ta mendoj se çfarë do të bëjë gjatë ditës së sotme dhe ku do të shkoj, pjesën kryesore duhet ta mendoj QASJEN. A ka qasje rruga, a ka qasje objekti, a ka qasje tualeti, a ka qasje ashensori, a ka qasje kjo, ajo, qasje, qasje, qasje! Pra qysh në fillim të ditës, ende pa dalur nga shtëpia, fillon problemi me qasje.

Nëse vendosi me dal me shku me autobus, e di që m’duhet të i thërras 2-3 vetë me më ndihmuar me hyp në autobus. Edhe më pyesin a don “hopa” me të hyp? Me gjithë respektin për ata të cilët këtë gjë e kanë prej vullnetit shumë të mirë, kjo është ajo që më së paku do të dëshironte një përdorues i karrocës. Edhe pse ndonjëherë duke mos pasur alternativë tjetër, duhet ta pranojmë edhe këtë “qasje”.

Nëse vendosi me dal për kafe, duhet prapë t’ia bëjë vetës disa pyetje. Ku do ta parkoj veturën, sa shkallë i ka kafiteria, a dijnë kamarierat si me më ndihmu, a mundem me shkuar në tualet nëse kam nevojë? Prapë pyetje e pyetje. Ku po mbetet mandej kënaqësia e asaj kafe kur në fillim duhet të i mendosh gjithë këto gjëra? Zgjidhje është se duhet të shkosh në ato pak vende që kanë qasje deri diku, edhe pse kjo mund të jetë për të satën here. Dhe tjetra, kur dikush të fton për kafe, pyetja e parë është a ka qasje. Prapë mendja te qasja....
Nëse dua të shkoj me një takim pune, dhe e di që nuk ka qasje, atëherë zgjidhja ime është që të marrë një kolegë të më ndihmojë. ”Nuk ka rëndësi nëse ky kolegu ka pasur punë diçka tjetër”. Shumë herë edhe më ndodh që të anuloj gjëra shumë të rëndësishme të punës për shkak të qasjes. Shumë herë më duhet edhe të i lëshoj para kohe tryezat, seminaret apo trajnimet e ndryshme, jo që nuk më rrihet, por tualeti është vetëm për ata “në këmbë”.

Më duhet patjetër të e përmendi edhe vullnetin shumë të mirë të shoqërisë për të ndihmuar, edhe atë shumë here edhe pa i’u kërkuar ndihmë, e që në vendin tonë është shumë e nevojshme duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e ambientit është e pa qasshme. Por si për çdo person, edhe për ata me aftësi të kufizuar, dinjiteti është pjesë tejet e rëndësishme e personalitetit, e duke pasur nevojë për ndihmë gjatë gjithë kohës, jo për shkak të aftësisë së kufizuar por ambientit, atëhere mund të e kuptoni se çfarë ndjenje mund të krijohet rreth dinjitetit.

Tash paramendojeni edhe sa fëmijë nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë për shkak të kësaj, sa maturantë nuk kanë mundur të vazhdojnë studimet e tyre, sa njerëz nuk kanë mundur të punësohen për shkak të kësaj, e sa e sa... Me gjithë këto mund ta paramendoni pastaj mirëqenien e këtyre qytetarëve që nuk kanë mundur të e zhvillojnë vetën e tyre. Me gjithë këto mund ta paramendoni barrën e shtetit për ndihma sociale dhe pensione, të cilat prapë se prapë për këta persona nuk janë të mjaftueshme, por të cilat e rëndojnë buxhetin e shtetit edhe ashtu të rënduar.

Pra, po e shohim se mos mundësia për lëvizje të lirë për personat me aftësi të kufizuar sjell probleme të shumta në të ardhmen. Ashtu siç e thashë edhe më lartë, qasja nuk duhet të shihet si barrë por si investim për shoqërinë. Edhe ashtu, si popull jemi i vogël dhe nuk do duhej të përjashtojmë grupe të shoqërisë për të kontribuar për vendin, qoftë edhe pa qëllim.
 

“Nuk është problem karroca ime, por planifikimi yt jo i mirë” Rinor Gashi -  HandiKOS