KOMUNA E GJILANIT

 

Sipërfaqja
Popullsia[1]
Dendësia
KOMUNA
392 km2
90,178 banorë
230 banorë/km2
QYTETI
x km2
54,239 banorë
x banorë/km2

 

Hapësira e Komunës së Gjilanit shtrihet në 392 km2 dhe përbëhet prej 42 zonave kadastrale. Deri më 2010, përfshinte një territor prej 515 km2, me 63 vendbanime, 54 zona kadastrale. Decentralizimi e ka reduktuar për 123 km2 (12 zona kadastrale), të cilat i janë bashkuar Komunës së re të Parteshit (3 zona kadastrale) dhe Komunës së zgjeruar të Artanës (9 zona kadastrale). Sot Komuna e Gjilanit ka 54 vendbanime, prej të cilave rreth 60% e popullsisë (54,239 banorë) banojnë në zonën urbane ndërsa 40% (35,939 banorë) në atë rurale. Shumica etnike e tyre janë shqiptarë (mbi 97.3%), ndërsa në pakicën tjetër hyjnë turq, serbë, boshnjakë, romë, egjiptas e ashkali.[2]

Komuna e Gjilanit ka 23, 319 banesa, nga këto 62% (14,647) e banesave janë në zonat urbane dhe 38% (8,786) në ato rurale. Banimi individual (P+2) dominon me 90.5% të sipërfaqes së ndërtuar me 13,254 objekte, pasuar me banesa me dy hyrje (1,169 ose 8%), banesa individuale serike (133 ose 0.9%) dhe banesa kolektive (85 me 2400 apartamente ose 0.6%).[3]

Sipas një studimi të UN-Habitatit, në komunën e Gjilanit janë 289 familje (1.7% e gjitha familjeve në komunë) në nevoje sociale, duke i llogaritur vetëm ato raste që janë të ndjeshme dhe që iu kanë drejtuar komunës për ndihmë. Nga gjitha kërkesat vetëm 21 nga to janë aprovuar ndërkaq të tjerat janë në pritje për vendimarrje.[4]  Sipas të dhënave të drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale janë dy ndërtesa që i kanë subvencionuar për banim të përhershëm social me gjithsej 53 familje. Si përfitues për pagesën e qërave mujore në afat një vjeqar, bazuar në marrëveshje dhe kontratat për qëra janë gjithsej 35 familje.[5]

Komuna ka alokuar tokë për njësi të banesave sociale me rreth 1.5 hektar në 4 lokacione; 3 në zona rurale për njësi të banesave sociale individuale (0.7 ha.) dhe një në lagjen Arbëria (0.8 ha.) në qytetin e Gjilanit. Gjithashtu komuna ka alokuar tokë/pronë të saj në dy lokacione me nga 0.5 hektar për projekte publiko-private në qytet, njëri nga të cilët është në ndërtim e sipër përderisa tjetri është kompletuar. Po ashtu komuna ka vazhduar më tej së zbatuari projekte publiko-private nga të cilat janë ndërtuar 9 ndërtesa (P+4) me bashkëpronar (me kondominium) në prona komunale që më pas janë privatizuar. Blloku i parë i banimit social në Gjilan është ndërtuar në lagjen Kodra e Thatë në vitin 2008 dhe është financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa blloku i dytë i banimit social është ndërtuar në vitin 2012 dhe është financuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.Këto blloqe të banimit social përbëjnë 53 njësi që janë të banuara nga 53 familje me gjithsej 266 banorë. Bazuar në informatat e Departamentit të Mirëqenies Sociale shumica e banorvë që jetojnë në banesat sociale janë të kontraktuar me asistenca sociale.

Ndër problemet e shumta në hapësira publike është mungesa e parkingjeve publike në qytet. Si pasojë e saj, parkingu i egër nëpër rrugë ka zvogëluar edhe më shumë kapacitetin e rrugëve në qytet dhe është duke penguar qarkullimin e lirshëm të këmbësorëve. Qasja për persona me aftësi të kufizuar në institucionet publike në komunën e Gjilanit është pjesërisht e zbatuar përshkak të trotuareve të papërshtatshme. Hyrjet nëpër objektet e shkollave dhe universiteteve kanë pjerrina të përshtatshme por nuk kanë mbajtëse anësore. Gjithashtu nuk ka as parkingje të rezervuara për persona me aftësi të kufizuara. Të njëjtat standarde janë edhe nëpër një pjesë të institucione shëndetsore dhe qendrave tjera publike.

Ekzistojnë disa parqe të ndryshme dhe hapësira tjera të gjelbëruara në Gjilan. “Parku i Qytetit” është i vendosur në qendër të qytetit përgjatë rrugës kryesore, e si i tillë është parku qendror në plotësimin e disa funksioneve publike dhe rekreative. Parqe të tjera janë parku për fëmijë mbi Hallën e Sporteve si dhe parku i kombinuar për të rritur dhe për fëmijë në lagjen “Iliria”. Gjithashtu ekziston një zonë e hapur publike gjelbëruese në jugperëndim, në lokacionin e “Kodrës së Dëshmorëve“ por kjo zonë nuk është zhvilluar akoma si një park i mirëfilltë për tërheqjen e vizitorëve.[6] Në muajin shtator të këtij viti ka filluar puna për ndërtimin e parkut në lagjen "Dardania", ku parashihet të ketë ndriçim publik, trotuare dhe kënd të lojërave për fëmijë, zona të gjelbra, si dhe elemente të tjera rekreative dhe sportive.

Drejtoritë e Komunës së Gjilanit që merren me hapësirat publike janë Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit (DUMM) dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike (DSHP), ndërsa me banimin social janë Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS) si dhe DUMM.

 


[1] http://kk.rks-gov.net/gjilan/City-guide/Geography.aspx

[2]ASK. 2013. Atlas i Regjistrimit të Popullsisë Kosovë 2011.

[3] UN Habitat_Municipal_Housing_Profile_Gjilan-Gnjilane

[4] UN Habitat_Municipal_Housing_Profile_Gjilan-Gnjilane_faqe_42

[5] Drejtoria për Shëndetsi dhe Mirëqenie Sociale_Tetor_2015

[6] Drejtoria pë Urbanizëm, Rindërtim dhe Ambient 2008. Plani Zhvillimor Urban i Gjilanit  2006-15. Fq. 73-74  

KOMUNA E GJILANIT