KOMUNA E FERIZAJT

 

Sipërfaqja
Popullsia
Dendësia
KOMUNA
345 km2
108,631 Banorë
315 Banorë/km2
QYTETI
10.537 km2
42,649 Banorë
4040 Banorë/km2

 

Komuna e Ferizajt ka 45 vendbanime, të shpërndara në zona të ndryshme, prej të cilave rreth 39% e popullsise (42,649 banolrë) jetojnë në zonën urbane, ndërsa 61% (65,982 banorë) në atë rurale. Shumica etnike janë shqiptarë me 97 % ndërsa në pjesën tjetër prej 3% dominojnë komuniteti ashkali, romë dhe egjiptias, por ka edhe disa serbë e goranë. 50% e popullsisë së qytetit të Ferizajt janë nën moshën 25 vjeçare. Numri i përgjithshëm i shtëpive individuale në këtë komunë aktualisht është 31,239, ndërsa ndërtesa të banimit kolektiv janë 118 me gjithsejt 2275 njësi banimi.

Në aspektin e banimit social, Komuna e Ferizajt ka një kapacitet prej 75 njësive banesore sociale, të shpërndara në 3 blloqe të banimit. Gjithashtu pritet të lirohen edhe 40 njësi banesore të një ndërtese e cila është okupuar që nga paslufta.

Hapësirat publike në Ferizaj përfshijnë tri parqe që konsiderohen më të mëdha në qytet, Parku i Lirisë (42 ha.), Parku i Qytetit (afer hekurudhës), si dhe Parku “Korridori i gjelbërt” afër Sallës së Sporteve, si dhe disa parqe të vogla në rrugë të ndryshme të qytetit. Qyteti ka sheshin “Adem Jashari” para komunës si hapësirë në zemër të qytetit dhe sheshin kryesor në qendër “Dëshmorët e Kombit”. Hapësira publike të gjelbërta në përgjithësi ka edhe tek banimet kolektive gjithashtu.

Meqë Ferizaj për nga zhvillimi ekonomik njihet si qytetit i dytë në Kosovë, shkaku i pozitës së mirë gjeografike, ka edhe qarkullim të madh të veturave e si pasojë shpesh herë edhe bllokim të trafikut. Një tjetër problematikë është parkingu jo i mjaftueshëm në qytet, ku vihet në pah mungesa e ndërtesës për parking. Gjithë parkingu publik është i orientuar në tri rrugët kryesore (Rr. ”Dëshmorët e Kombit”, Rr. “12 Qershori” dhe Rr. “Ahmet Kaciku”), por ekzistojnë edhe parkingje private me pagesë më të lartë. Në disa nga rrugët kryesore trotuarët përdoren për parking, por ka edhe raste kur parkingjet publike privatësohen për nevoja të bizneseve të ndryshme, duke përvetësuar vendparkingun publik pranë lokalit të caktuar vetëm për veturën e pronarit apo edhe duke vendosur reklama mbi parking. Në qytet ekziston vetëm një shteg për biçikleta dhe ai është në rrugën që shkon nga Qendra e Kulturës e  deri afër Parkut të Lirisë, ndërsa në pjesët tjera të qytetit nuk ka shtigje për biçikleta, çka edhe e bën lëvizjen jo të sigurt të çiklistve.

Vetëm sheshi kryesor “Dëshmorët e Kombit” ka qasje pak më të mirë të lëvizjes për persona me aftësi të kufizuara, derisa pjerrinat shfaqen vende-vende në trotuaret e qytetit, por shumë nga ato janë të rrezikshme dhe jo shumë funksionale, duke u nisur nga pjerrtësia e madhe e deri te plani jo i mirë detal i tyre. Qasja e personave me aftësi të kufizuara në objektet publike është një qështje që ende duhet analizuar dhe punuar në Ferizaj.

Drejtoritë e Komunës së Ferizajt që merren me hapësirat publike janë Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit (DUM) dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës (DSHPE), ndërsa me banimin social përveç DUM merret dhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS).

KOMUNA E FERIZAJT